Opozita: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, ide e papranueshme
![Opozita: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, ide e papranueshme](https://gdb.rferl.org/E962E853-EDE1-43EA-B39E-4657D261A3C7_cx0_cy10_cw0_w800_h450.jpg)
Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë njoftuar se kryetarët e dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, kanë biseduar gjatë një takimi për zhvillimet e fundit politike në vend.
Siç thuhet në komunikatë, të dy kryetarët ndër të tjera vlerësojnë se “negocimi i çfarëdo marrëveshje finale me Serbinë duhet bërë me një formulë parlamentare që garanton unitet të gjerë politik”, si dhe që “negocimi i çfarëdo çështjeje që është fundament kushtetues dhe element i shtetit të Kosovës, siç janë territori, institucionet kushtetuese, popullsia, resurset natyrore, është i papranueshëm dhe ato nuk mund të bëhen objekt i negocimit me Serbinë”.
Mustafa dhe Kurti kanë vlerësuar se “thirrja e një konference ndërkombëtare” për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “do të jetë e panevojshme dhe e papranueshme, meqenëse do të hapte rrugë për ndërhyrje të Rusisë dhe Kinës në një proces të pavarësimit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.