SHBA: Arrihet Marrëveshja për hapjen e Qeverisë
![SHBA: Arrihet Marrëveshja për hapjen e Qeverisë](https://gdb.rferl.org/E6B07688-7391-428A-8A20-0D5FAC7CA623_w800_h450.jpg)
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump bëri të ditur se është arritur Marrëveshja që mundëson hapjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
“Jam shumë krenar të njoftoj se kemi arritur marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes së Qeverisë”, tha presidenti amerikan Trump, në një paraqitje nga Shtëpia e Bardhë, 35 ditë pasi Qeveria u mbyll duke lënë 800.000 punëtorë federal pa pagesa.
Mbyllja e Qeverisë erdhi si pasojë e mosmarrëveshjeve ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve demokratë për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.
Presidenti amerikan Trump kërkon 5.7 milardë dollarë për ndërtimin e murit, mirëpo kjo kundërshtohet nga demokratët që udhëheqin me Dhomën e Përfaqësuesve.
Presidenti amerikan tha se hapja e Qeverisë do të ndodhë për një periudhë tre javore, duke i japur kështu kohë një Komiteti dypartiak të ligjvënësve për t’u takuar dhe për të diskutuar nevojat e sigurisë kufitare të vendit.
Megjithatë presidenti Trump paralajmëroi, se nëse deri më 15 shkurt nuk arrihet një kompromis, atëherë ai mund të mbyllë sërish Qeverinë, ose do të përdorë kompetencat e tij ekzekutive për të shpallur gjendjen e emergjencës, një masë kjo që i lejon atij të përdorë mjetet financiare për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën edhe pa miratimin e Kongresit.