Zjarret në Greqi vrasin një bari, rrezikohen zonat përreth Athinës
"Një bari i vjetër vrapoi në vathën e tij për t'i shpëtuar kafshët dhe u gjet i vdekur", tha një zëdhënës i brigadës së zjarrfikësve për AFP.
Një zjarr i madh shpërtheu në rajonin qendror të Greqisë, Boeotia, rreth 100 kilometra në veri të Athinës, thanë shërbimet e shpëtimit.
Njerëzit që po qëndronin në një plazh dhe në dy komunitete aty pranë u urdhëruan të evakuoheshin nga ato zona.
Rreth 56 zjarrfikës dhe katër avionë që hidhnin ujë po luftonin me zjarrin e ri gjatë ditës, tha një zyrtar nga shërbimi i zjarrfikësve për agjencinë e lajmeve AFP.
Zjarret vazhduan të digjen edhe për të tretën ditë në pjesën verilindore të Greqisë, pranë qytetit Alexandroupolis.
Ekipet e zjarrfikësve janë vendosur në disa fronte dhe po përpiqen të ndalojnë përparimin e zjarrit drejt Parkut Kombëtar Dadia, që pësoi dëme të konsiderueshme nga zjarret vitin e kaluar. Të angazhuar në mbarë Greqinë aktualisht janë mbi 200 zjarrfikës, ndërsa me zjarret po luftojmë edhe shumë vullnetarë dhe policë.
Shtatë zjarrfikës dhe një vullnetar u dërguan në spital me lëndime, tha zyrtari nga shërbimi i zjarrfikësve.
Rreth 12 komunitete u evakuuan gjatë fundjavës dhe autoritetet e mbrojtjes civile u kërkuan banorëve të qëndrojnë brenda shtëpive për shkak të tymit. Në këtë zonë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Autoritetet e mbrojtjes civile paralajmëruan për një rrezik “ekstrem” zjarri në rajonin përreth Athinës dhen pjesë të tjera të Greqisë jugore.
Kushtet shumë të nxehta dhe të thata që rrisin rrezikun e zjarrit do të vazhdojnë deri të premten, sipas meteorologëve.
Muajin e kaluar, rreth 20.000 njerëz, kryesisht turistë, u detyruan të evakuoheshin nga ishulli Rodos pasi shpërtheu një zjarr, i cili më pas u ndez dhe shpërnda nga erërat e forta.
Pothuajse 17.770 hektarë u shkatërruan brenda dhjetë ditëve në pjesën jugore të ishullit në Detin Egje.
Korriku i këtij viti e përballi Greqinë me valën më të keqe të të nxehtit ndonjëherë gjatë muajit korrik, me temperatura mbi 40 gradë Celsius në shumë vende, sipas Observatorit Kombëtar në Athinë.