“Drifting” fiton çmimin kryesor në Dokufest
Filmi “Drifting” me regji të Somnur Vardar u shpall filmi më i mirë në kategorinë Best Balkan Dox.
Ndërkaq, çmimin e publikut e fitoi “Snajka: The Diary of Expectations” të regjisores Tea Vidoviq-Dalipi. Në kategorinë e filmit më të mirë kombëtar fitues u shpall filmi “Prishtina 2002” i Trëndelina Halili.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të shtunën mbrëma, filmi “Hypermoon” me regji të Mia Engberg u shpall fitues në kategorinë International Feature Dox.
“Pacific Club” me regji të Valentina Noujaim fitoi në kategorinë International Short Dox.
Edicioni i 22-të i Dokufest-it, që nisi më 4 gusht, kishte për temë inteligjencën artificiale.
Ky edicion u përcoll edhe me një protestë pasi një grup nga Kanadaja mbajti një paraqitje në mbrojtje të transgjinorëve.
Sipas organizatorëve, ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, “ky edicion i festivalit ishte ndër më të suksesshmit deri më tani”. Ata premtuan se do të vazhdojnë të mbështesin Dokufest-in, përmes së cilit, siç thanë ata, Prizreni “u bë qytet i njohur në botë”.