OKB: 87 trupa janë gjetur në varre masive në Sudan
OKB-ja tha më 13 korrik se njerëz që i përkasin grupit etnik masalit ishin në mesin e atyre që u varrosën në një varr masiv pranë El-Geneinas.
Luftimet e ashpra midis RSF-së dhe forcave të armatosura të Sudanit kanë vazhduar që nga prilli. Por, RSF-ja dhe forcat e tyre aleate kanë mohuar përfshirjen në luftimet e fundit në Darfurin perëndimor.
Mijëra kanë vdekur dhe miliona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre si rezultat i luftimeve midis ushtrisë së rregullt të Sudanit, të udhëhequr nga Abdel Fattah al-Burhan, dhe RSF-së, të udhëhequr nga ish-zëvendësi i al-Burhan, Mohamed Hamdan Daglo, i njohur si “Hemedti”.
OKB-ja tha se të paktën 37 trupa u varrosën në rajonin e Darfurit perëndimor më 20 qershor dhe 50 të tjerë në të njëjtin vend të nesërmen. Mes të varrosurve kishte edhe gra dhe fëmijë.
Komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha se ishte “i tmerruar nga trajtimi i pashpirt dhe pa respekt ndaj të vdekurve, së bashku me familjet dhe komunitetet e tyre”.
Ai bëri thirrje për një hetim mbi vdekjet e tyre dhe tha se RSF-ja ishte e detyruar t'i trajtonte të vdekurit “me dinjitet”.
Më parë këtë javë, RSF-ja hodhi poshtë pretendimet e Human Rights Watch se ata kishin vrarë 28 anëtarë të komunitetit masalit dhe kishin plagosur dhjetëra civilë përpara se ta shkatërronin qytetin Misterei në maj.
Një këshilltar i udhëheqjes së RSF-së, Mustafa Mohamed Ibrahim, i tha BBC-së se përplasjet në atë zonë ishin pjesë e një lufte civile të vazhdueshme midis grupeve arabe dhe masalite.
Muajin e kaluar, guvernatori i Darfurit perëndimor u vra menjëherë pasi akuzoi RSF-në për kryerjen e një gjenocidi kundër popullit masalit.
Populli masalit dikur jetonte nën një sulltanat në Darfurin perëndimor. Pjesa më e madhe e tij ishte inkuadruar në Sudan më shumë se 100 vjet më parë.
Ata janë kryesisht myslimanë dhe kanë akuzuar qeveritë e njëpasnjëshme sudaneze për promovimin e “arabizmit”, duke i anashkaluar ata për shërbimet bazë, si në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.
Ekzistojnë shqetësime se sulmet nga RSF-ja dhe policitë arabe kundër komunitetit masalit mund të sjellin situatë të ngjashme si në vrasjet e Darfurit të vitit 2003, kur 300.000 njerëz u vranë nga forcat Janjaweed, që më vonë u shndërruan në RSF.
OKB-ja tha se konflikti ka marrë një “dimension etnik”.