Nga rrëmuja në stadiumin në El Salvador, 12 të vdekur
Autoritetet thonë se informacionet fillestare tregojnë se ka pasur shtypje një rrëmujë mes tifozëve, të cilët u përpoqën të hynin në stadiumin Cuscatlan në San Salvador, kryeqyteti i këtij vendi në Amerikën Qendrore, për të parë ndeshjen mes ekipeve Alianza dhe FAS.
“Sipas të dhënave paraprake, kemi 12 viktima”, u tha gazetarëve drejtori i policisë Mauricio Arriaza.
Ministri i Brendshëm, Juan Carlos Bidegain tha se shërbimet e mbrojtjes civile ishin të parat që reaguan në vendin e ngjarjes.
Carlos Fuentes, zëdhënës i shërbimit të urgjencës Comandos de Salvamento, tha se ndihma u është ofruar më shumë se 500 njerëzve.
“Rreth 100 persona u dërguan në spital, në gjendje të rëndë, disa duke shfaqur shenja ngufatjeje dhe lloje të tjera traumash”, tha Fuentes.
Ai tha se rrëmuja filloi pasi porta e stadiumit ra, duke shkaktuar tollovi dhe shtypje të turmës së njerëzve.
Policia njoftoi se së paku dy nga të lënduarit janë në gjendje kritike, raporton AP.
Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele tha se aksidenti do të hetohet dhe se përgjegjësit do të ndëshkohen.
“Të gjithë do të hetohen, ekipet, menaxherët, stadiumi, arka, liga, federata”, shkroi Bukele në Twitter.
Federata e Futbollit e Salvadorit tha se “shpreh keqardhje të thellë” për ngjarjet që ndodhën në stadium dhe “shpreh solidaritetin e saj” me familjet e viktimave.
Tragjedia ndodhi shtatë muaj pasi 135 njerëz, duke përfshirë më shumë se 40 fëmijë, vdiqën në një rrëmujë pas një ndeshje futbolli në Malang të Indonezisë.