KE konfirmon: Liberalizimi i vizave s’vlen për pasaportat që lëshon Serbia
Zëdhënësja Anita Hipper tha në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se “regjimi i vizave do të mbetet i vlefshëm vetëm për ata shtetas në Kosovë, pasaportat e të cilëve lëshohen nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë”.
Serbët në Kosovë janë përjashtuar nga liberalizimi i vizave edhe kur Serbisë i janë hequr ato në vitin 2009.
Megjithatë, nga Komisioni Evropian thanë se po punojnë që të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor ta gëzojnë lirinë e lëvizjes në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej dhjetëra shtetesh evropiane.
“Derisa ecim përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, BE-ja është e vendosur të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza të BE-së, me kusht që ekzistojnë rrethanat për udhëtim të sigurt”, tha Hipper.
As pas liberalizimit, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë
Pas nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën, më 19 prill, raportuesi për viza i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, tha po ashtu se heqja e vizave vlen vetëm për pasaportat e Kosovës.
“[Legjislacioni] është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm", tha ai.
Vendimi për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024.
Qytetarëve të Serbisë me adresë banimi në Kosovë, pasaportat ua lëshon Administrata Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Në vitin 2009, Serbia është dashur ta formojë këtë organ për të siguruar liberalizimin e vizave për vete.
Para kësaj kohe, shtetasit serbë me banim në Kosovë i kanë marrë pasaportat në Drejtoritë e Policisë, të cilat Beogradi zyrtar i ka zhvendosur në qytetet e Serbisë, pas luftës në Kosovë më 1999.
Kosova nuk i njeh këto pasaporta, sepse konsideron se ato lëshohen nga “institucione paralele ilegale”.