Rusia paralajmëron Lituaninë mbi ‘bllokadën’ në Kaliningrad
Të premten, më 17 qershor autoritetet lituaneze i bënë të ditur rajonit rus të Kaliningradit se do të bllokonin importin dhe eksportin e një numri të madh mallrash që kalonin në rrugë hekurudhore për shkak të sanksioneve perëndimore.
Kaliningradi është i vendosur në brigjet e Balltikut midis Lituanisë dhe Polonisë, të dyja anëtarë të NATO-s, por nuk ka kufij tokësor me Rusinë.
Nikolai Patrushev, sekretari i Këshillit të Sigurisë në Kremlin, vizitoi të martën Kliningradin dhe u zotua se do të merreshin masa ndaj bllokadës.
“Rusia do t’i përgjigjet këtyre veprimeve armiqësore”, deklaroi Patrushev për mediat ruse. “Masat përkatëse janë duke u hartuar në një format ndërveprues dhe do të miratohen së shpejti. Pasojat e tyre do të kenë një ndikim negativ në popullatën e Lituanisë”, tha Patrushev, pa dhënë detaje se cilat mund të jenë masat që Rusia do të marrë.
Ndërkohë, ministria e jashtme ruse thirri të martën ambasadorin e Bashkimit Evropian në Rusi, Markus Ederer dhe "dorëzoi një notë proteste" për ndalimin e tranzitit. Ministria tha në një deklaratë se "kërkoi rifillimin e menjëhershëm të funksionimit normal" të transitit, përndryshe do të kundërpërgjigjet me "masa të ngjashme".
Qeveria lituaneze theksoi të martën, në një deklaratë me shkrim se "transiti i pasagjerëve dhe mallrave të pasanksionuara drejt dhe nga rajoni i Kaliningradit përmes Lituanisë vazhdon pa ndërprerje" dhe se ndalimi i transitit të mallrave të sanksionuara ishte thjesht pjesë e paketës së katërt të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
Enklava e Kaliningradit, me popullsi rreth 430,000 banorë, është e izoluar nga pjesa tjetër e Rusisë dhe kufizohet me anëtarët e BE-së, Lituaninë dhe Poloninë. Trenat me mallra për Kaliningrad udhëtojnë përmes Bjellorusisë dhe Lituanisë; nuk ka rrugë transiti përmes Polonisë. Rusia ende mund ta furnizojë enklavën nga deti pa u penguar nga sanksionet e BE-së.