Moldavia: Na duhet ndihmë për fluksin e refugjatëve
“Ne kemi tani mbi 270,000 njerëz që kanë kaluar kufirin”, ka thënë kryeministrja moldave, Natalia Gavrilita për transmetuesin britanik, BBC.
“Me shumë se 100,000 njerëz kanë vendosur të qëndrojnë – të paktën përkohësisht. Për një shtet si Moldavia këto janë shifra të larta”.
Moldavia, shtet i vogël me rreth 2.5 milionë banorë, gjendet mes Ukrainës dhe Rumanisë, dhe ka një prej ekonomive më të brishta në Evropë.
Numri i refugjatëve përbën rreth 4 për qind rritje në popullsinë e saj.
Gavrilița ka thënë se qytetarët moldavë janë duke ndihmuar në strehimin e refugjatëve.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për pasojat ekonomike të luftës.. e cila është duke goditur rëndë një shtet si Moldavia, ndër më të varfrit në Evropë. Neve na duhet ndihmë nga jashtë”, ka thënë mes tjerash ajo.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.