Talat Xhaferi rizgjidhet kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
“Talat Xhaferi është njeriu i duhur në vend të duhur. Ai është kryetari më i suksesshëm i kuvendit, njeriu që i ka thyer tabutë se shqiptari jo vetëm që mund të jetë kryetar kuvendi, por edhe kryetar më i suksesshëm”, ka deklaruar Izet Mexhiti në emër të grupit parlamentar të BDI-së.
Edhe Lidhja Social Demokrate i ka dhënë mbështetje rizgjedhjes së Talat Xhaferi në postin e kryetarit të kuvendit, por njëri nga nënkryetarët e LSDM-së, Muhamed Zeqiri, ka drejtuar kritika ndaj Xhaferit duke e akuzuar për lidhje me ish-strukturat e qeverisë së Nikolla Gruevskit, në veçanti me ish-kryetarin e kuvendit, Trajko Veljanovski.
“Është kryetari më i suksesshëm që do të mbahet mend si kryetari i vetëm që ka amnistuar një kriminel si Trajko Veljanovski (ish-kryetar i kuvendit gjatë trazirave më 27 prill 2017)”, ka deklaruar Zeqiri.
Kundër kryetarit të ri të kuvendit është shprehur edhe opozita maqedonase duke drejtuar kritika për mënyrën e drejtimit të Kuvendit në të kaluarën, në veçanti në raport me opozitën.
“Mosrespektimi i opozitës, refuzimi për çeljen e debatit për amendamentet e opozitës, ndërprerja e diskutimeve, shkelja e procedurave parlamentare, shkelja e Rregullores mbi punën e Kuvendit, janë vetëm disa nga çështjet që kanë karakterizuar punën e Talat Xhaferit si kryetar kuvendi. Nëse këto konsiderohen si punë e suksesshme e tij, atëherë kjo shumicë ka problem me përkufizimin e të qenët demokratik. Xhaferi nuk ka mbështetjen e opozitës”, ka deklaruar Nikolla Micevski nga VMRO DPMNE-ja.
Opozita shqiptare e përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe partia Alternativa, akuzat e saj ndaj shumicës së re parlamentare i kishte kryesisht për, siç tha, dhunimin e votës shqiptare në zgjedhjet e 15 korrikut. Nga ky koalicion thanë se qëllimi i tyre kryesor në punën e kuvendit, do të jetë mbrojtja e demokracisë.
“Si koalicion nuk do të lejojmë të shkelim premtimet e dhëna 82 mijë votuesve dhe të tyre 10 mijë të tjerëve që dolën në protesta me akuza drejtuar BDI-së për vjedhje. Pra, nuk do të lejojmë që të shkelet besa e dhënë njerëzve të cilët kanë kërkuar demokraci, por që BDI-ja dhe Talat Xhaferi së bashku edhe me Ali Ahmetin, e mohuan këtë demokraci”, ka deklaruar Skënder Rexhepi nga koalicioni opozitar shqiptar.
Për të zgjedhur kryetarin e institucionit ligjvënës nevojiten së paku 61 vota nga 120 deputetë sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Zgjedhja e kryetarit të kuvendit i ka hapur rrugën votimit të qeverisë së re të përbërë nga LSDM-ja dhe BDI-ja.
Por, caktimi i posteve ministrore, siç bëhet e ditur, ka nxitur reagimin e disa degëve të BDI-së, të cilat kanë kërkuar përfaqësim me poste ministrore. Mirëpo, nga BDI-ja kanë thënë se debatet e tilla janë pjesë e demokracisë që ekziston brenda kësaj partie.
BDI-ja në qeverinë e re do të ketë gjashtë ministri; zv.kryeministrin e parë që njëherësh do të jetë edhe ministër i Sistemit Politik (Artan Grubi), Ministrinë e Punëve të Jashtme (Bujar Osmani), Ministrinë e Financave (Fatmir Besimi), Ekologjinë (Naser Nuredini), Ekonominë (Kreshnik Bekteshi), dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike,(ministri ende nuk është caktuar).
Lëvizja Besa, e cila ishte pjesë e koalicionit parazgjedhor me LSDM-në, do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë (Arjanit Hoxha), ndërsa resorët tjerë si Ministria e Brendshme dhe e Mbrojtjes, e Punës dhe Politikës Sociale, ajo e Arsimit, e Drejtësisë, e Pushtetit Lokal, Ministria e Transportit, e Shëndetësisë dhe Kulturës, do t’i takojnë LSDM-së dhe partnerëve të saj të koalicionit parazgjedhor. Votimi i qeverisë pritet të bëhet javën e ardhshme.