Mbi 500 pacientë të shtrirë në spitalet publike në Kosovë
Në raportin ditor të SHSKUK-së është thënë se 18 pacientë janë në respiratorë, 27 janë duke u trajtuar me makinat e frymëmarrjes, CPAP, derisa 347 të tjerë janë në oksigjenoterapi.
Kosova ka gjithsej 700 shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale.
Këtij vendi të premten i janë shtuar 162 raste të reja me koronavirus, pas marrjes së 548 mostrave.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPIK) ka raportuar për 12,168 të infektuar me këtë virus.
Deri më tani 8,149 pacientë janë shëruar, derisa aktualisht janë 3,571 raste aktive.