Kurti: Thaçi do të njoftohet kur VV dhe LDK të jenë gati
Letra vjen disa ditë pasi presidenti Thaçi, për të evituar, siç është thënë, vonesat rreth formimit të qeverisë së re, i ka kërkuar Kurtit emrin e mandatarit për postin e kryeministrit.
"Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo edhe të garantimit të një shumice parlamentare për zgjedhjen e qeverisë në kuvend".
"Ju lusim që të mos bëni vlerësime politike dhe presion përmes paragjykimit të procesit politik të formimit të qeverisë", thuhet në letrën e Kurtit.
Ai theksoi se partia e tij dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në fazën e finalizimit të marrëveshjes dhe se do ta njoftojnë presidentin kur të jenë gati.
Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa LDK-ja pas saj.
Negociata për formimin e koalicionit qeverisës janë zhvilluar që nga certifikimi i rezultateve, por ende pa marrëveshje.
Ambasadat e vendeve perëndimore në Kosovë në vazhdimësi kanë bërë thirrje për formimin e institucioneve të reja.
Lexoni edhe këtë:
Shtimi i numrit të ministrive, një opsion shtesë për koalicion