Huntsman riafirmon mbështetjen e SHBA-së për integritetin territorial të Ukrainës
Në një intervistë për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë, ambasadori Jon Huntsman i bëri thirrje Rusisë “të angazhohet në një proces të dobishëm që do të lejonte popullin e Ukrainës të shohin shtetin e tyre duke u përmirësuar”.
“Ne thellësisht jemi të përkushtuar për integritetin territorial të Ukrainës, që është shkelur keq. Aneksimi i Krimesë nga Moska më 2014 dhe konflikti i vazhdueshëm në lindje të Ukrainës ... nuk është zgjidhur. Asgjë nuk është bërë në drejtim të hapave pozitiv drejt rikrijimit të konturareve të një Ukraine të plotë dhe të lirë”, tha Hunstman.
“Është koha të shkojmë në tavolinën e bisedimeve dhe të gjejmë zgjidhje”, shtoi ai.
Komentet e ambasadorit Hunstman vijnë pasi pesë vjet më parë Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë. Një muaj pas kësaj, persona të armatosur filluan të merrnin nën kontroll ndërtesa kyçe në rajonin lindor Donbas.
Diplomatët dhe gazetarët kanë dokumentuar se Rusia mbështetë luftëtarët në lindje të Ukrainës, të cilët po luftojnë kundër forcave qeveritare ukrainase. Në këto pesë vjetët e konfliktit, mbi 13 mijë persona kanë humbur jetën.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes së separatistëve. Këto sanksione vazhdojnë të jenë në fuqi, edhe pse presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se ai mund ta shqyrtojë mundësinë e lehtësimit të sanksioneve.