Ambasadori francez i kërkon falje Vuçiqit rreth ceremonisë në Paris
Ambasadori Mondoloni ka kërkuar falje një ditë pasi Vuçiq u është bashkuar dhjetëra liderëve në Paris për të shënuar armëpushimin e vitit 1918.
Në ceremoninë e 11 nëntorit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka qenë afër liderëve të Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, derisa Vuçiq ka qenë i ulur në anën përballë.
“Nuk mund të besoja se çfarë po shihja para meje, duke e ditur sakrificën e popullit serb në Luftën e Parë Botërore”, është cituar të ketë thënë Vuçiq për mediat serbe.
Mondoloni ka thënë për Prva TV se përcaktimi i ulëseve në ceremoninë e Parisit ka qenë “një gabim fatkeq” dhe i ka kërkuar Vuçiqit ashtu si edhe popullit serb të pranojnë kërkimfaljen.
“Serbia ka humbur pothuajse një të tretën e popullsisë në luftë, 62 për qind të të gjithë burrave. Nuk e di se çfarë ka ndodhur (në Paris)”, është shprehur ai.
Vuçiq më pas ka falënderuar Mondolonin përmes një postimi në Twitter për siç ka thënë “fjalët e mrekullueshme dhe respektin që ka treguar për viktimat serbe”.