Thaçi: Marrëveshje me Serbinë, vetëm nëse sigurohet njohje reciproke
Sipas presidentit Thaçi, marrëveshja eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të kishte ndikim pozitiv dhe në gjithë rajonin.
Thaçi ka folur sërish për marrëveshje e cila prek edhe kufijtë, çështje kjo që nuk po has në mbështetje brenda spektrit politik në Kosovë.
"Do të kemi demarkacionin e kufiri apo korrigjimin e kufirit prej 430 kilometrash. Nuk mund të ketë njohje reciproke pa përmbylljen e këtij procesi apo paralelisht. Korrigjimi i kufirit është i mundshëm dhe i siguron Kosovës njohja direkte nga Serbia, e po ashtu edhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën", tha Thaçi.
Ai tha se nuk mund të ketë njohje e as marrëveshja me Serbinë pa demarkacionin e kufirit.
“Njohja nga Serbia nënkupton njohje nga pesë vendet e Bashkimit Evropian për Kosovën, njohje nga Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro. Nënkupton menjëherë fillimin procesit të Kosovës përmes themelimit të ushtrisë edhe partneritet për paqe dhe rrugëtim të sigurt në NATO", tha Thaçi.
Njëherësh, Thaçi ka përshëndetur kërkesën e shqiptarëve në Luginë, që Kuvendi të miratojë një rezolutë për bashkim me Kosovën.
Po ashtu, Thaçi bëri thirrje që ekipi negociator i Kosovës të formohet sa më shpejt në Kuvend, duke kërkuar edhe përkrahjen e opozitës, shoqërisë civile dhe mediave. Ai u zotua se një marrëveshje e mundshme finale me Serbinë, do të ketë përkrahje të vendeve në rajon, BE-së dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës.