Abdixhiku: S’ka gjasa që të vetëpropozohem për president
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lumir Abdixhiku, i cilësoi si “spekulime” raportimet se ai mund të jetë kandidat për president të vendit, duke theksuar se "s'ka gjasa që të vetëpropozohem" për këtë post.
Gjatë një prononcimi për gazetarë më 11 prill, Abdixhiku, partia e të cilit ka 15 vende në Kuvendin prej 120 anëtarësh, tha se me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të 6 prillit, nuk ka folur për mundësinë që ai të bëhet presidenti i shtatë i Kosovës.
“Nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra, kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam kthyer përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha Abdixhiku.
Më 5 mars, LVV-ja paraqiti dy propozime për president: kryediplomatin Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.
Kreu i LDK-së tha se Kosovës i duhet një president që është unifikues, që është i mirë në politikën e jashtme, ia hap dyert Kosovës në tryezat ndërkombëtare, duke shtuar se “besoj që Vjosa Osmani ka qenë një kandidate e shkëlqyeshme”.
“Jo, s’ka gjasa që të vetëpropozohem sepse çështja e presidentit është çështje konsensuale. Pra, duhet të flasim për parimet njëherë. Nuk po flasim për akomodime individuale në këtë fazë. Aq më pak për një pozitë kaq të rëndësishme shtetërore. Pra, flasim për interesa ndërpartiake. A ka mundësi që partitë të akomodohen brenda një marrëveshjeje shumë më të madhe? Në qoftë se jo, atëherë përgatitemi për zgjedhje të reja. Por jo, kjo s’është politikë personale, ju lutem. Nuk kemi përmendur asnjë emër sepse nuk kemi ardhur në pozitën që presidenti duhet t’i takojë LDK-së ose jo”, tha Abdixhiku.
Ai konfirmoi se është takuar me kreun e subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, për të parë qëndrimet rreth çështjes së presidentit. Ndërkaq, paralajmëroi se javën e ardhshme ka gjasa të ketë takime të reja me Kurtin.
Figura të larta të LVV-së, përfshirë kryetaren e Kuvendit, njëherësh ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, kanë përsëritur qëndrimin se urojnë që deputetët të pajtohen dhe të zgjedhin presidentin, e vendi të mos shkojë në zgjedhje.
Edhe para seancës së 5 marsit, kur u propozuan dy emra për president nga LVV-ja, Kurti kishte mbajtur takime me udhëheqësit e LDK-së dhe PDK-së, por nuk arrit asnjë rezultat. Pasi dështoi seanca e 5 marsit, në mungesë të kuorumit, një ditë më pas, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria. Më pas gjykata doli me aktgjykim, duke caktuar 28 prillin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Nëse dështon zgjedhja e presidentit deri në këtë datë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë.