“S’u morëm vesh kështu”: Trump e paralajmëron Iranin për Ngushticën e Hormuzit në prag të bisedimeve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar ashpër Teheranin lidhur me synimet e tij për Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit, pak kohë para se zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë të mblidhen në Islamabad për bisedime të rëndësishme paqeje të premten.
“Irani po bën punë shumë të dobët, disa do të thoshin të pandershme, lidhur me kalimin e naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kjo nuk është marrëveshja që kemi!” shkroi Trump në Truth Social të enjten vonë.
“Thuhet se Irani po u vendos tarifa cisternave që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Më mirë të mos jetë e vërtetë kjo dhe, nëse është, duhet ta ndalojnë menjëherë!” shkroi Trump në një postim tjetër.
Mosmarrëveshjet mbi planet e Teheranit për këtë rrugë jetike ujore, së bashku me sulmet e mëdha që Izraeli po i kryen në Liban, vazhdojnë t’i zbehin shpresat se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e përhershme për t’i dhënë fund luftës, e cila filloi para më shumë se një muaji.
Ndër kërkesat kryesore të Trumpit si pjesë e një marrëveshjeje për armëpushim dyjavor është transporti i lirë përmes Ngushticës së Hormuzit, të cilën Irani e ka bllokuar qëkurse nisi lufta. Teherani është zotuar për ta rihapur këtë rrugë detare, megjithatë vetëm në bashkërendim ushtrinë iraniane dhe me pagesë.
Anijet nuk janë detyruar kurrë të paguajnë për të kaluar nëpër këtë ngushticë, pasi ajo vlerësohet si rrugë ujore ndërkombëtare dhe jo nën autoritetin e ndonjë shteti.
Kriza globale e energjisëNgecja e trafikut të cisternave të naftës dhe gazit i shkaktuar nga bllokimi i ngushticës ka çuar në një krizë globale energjetike dhe në rritje çmimesh. Mundësia e vendosjes së tarifave ka tronditur liderët në mbarë botën.
Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Greqia dhe të tjerë e dënuan planin e Iranit për vendosjen e tarifave. Bloomberg raportoi se kompanitë e transportit do të pritej të paguanin deri në 2 milionë dollarë për anije, ndërsa Financial Times tha se pagesat ndaj autoriteteve iraniane do të bëheshin vetëm në kriptomonedha ose në juan kinez.
Gjatë një vizite treditore në Gjirin Persik, kryeministri britanik Keir Starmer hodhi poshtë mundësinë që Teherani të bëjë me pagesë përdorimin e kësaj ngushtice jetike.
“Qëndrimi ynë është se ‘e hapur’ do të thotë e hapur për navigim të sigurt”, tha ai për televizionin britanik. “Kjo nënkupton navigim pa tarifa dhe që anijet të mund të kalojnë”.
Krediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, tha: “I bëjmë thirrje të gjitha palëve ta respektojnë plotësisht armëpushimin në rajon, t’i ndalojnë të gjitha operacionet ushtarake dhe të sigurojnë plotësisht lirinë e navigimit si dhe kalimin e lirë dhe të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, vendi i së cilës merr rreth 95 për qind të furnizimeve me naftë nga Lindja e Mesme, kërkoi në një telefonatë me presidentin iranian Masud Pezeshkian që ai t’i ulë tensionet dhe të garantojë sigurinë e anijeve në ngushticë.
Një deklaratë që i atribuohet liderit suprem të Iranit, Ayatollah Mojtaba Khamenei, dhe e lexuar në televizionin shtetëror më 9 prill, duket se nënvizonte synimin e Teheranit për të kontrolluar ngushticën dhe për të rregulluar trafikun detar në këtë arterie kyçe.
Në deklaratë thuhej se Irani “patjetër do ta çojë menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit në një fazë të re”, por nuk dha hollësi. “Irani nuk kërkon luftë, por nuk do të heqë dorë nga të drejtat e veta”.
Mes thashethemeve për gjendjen e tij, Khamenei nuk është parë që nga shpërthimi i luftës.
Takimet SHBA–Iran në PakistanZëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i dërguari special, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, pritet të mbërrijnë në Islamabad të premten për takime me zyrtarë iranianë. Bisedimet mes tyre mund të jenë vendimtare.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, dhe kryetari i fuqishëm i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, i njohur për deklarata të forta kundër SHBA-së javët e fundit, pritet ta udhëheqin delegacionin iranian.
Nuk është e qartë nëse bisedimet zyrtare do të fillojnë të premten apo të shtunën, por Pakistani ka shpallur dy ditë pushim në kryeqytet para bisedimeve.
Autoritetet shpesh shpallin pushim ose kufizime për ngjarje të mëdha diplomatike për arsye sigurie.
Pavarësisht kërcënimeve të tij, Trump i tha NBC News të enjten se është “shumë optimist” për një marrëveshje paqeje me Iranin dhe se Izraeli po “ulte intensitetin” e sulmeve në Liban.
Trump tha në një intervistë telefonike se liderët e Teheranit janë “shumë më të arsyeshëm” në biseda private, por shtoi se “nëse nuk bëjnë marrëveshje, do të jetë shumë e dhimbshme”.
Izraeli dhe Libani drejt bisedimeveNdërkohë, përfaqësues izraelitë dhe libanezë do të takohen në Uashington javën e ardhshme, tha Departamenti i Shtetit për Radion Evropa e Lirë (REL).
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar intensifikimin e sulmeve në Liban, ku bombardimet e rënda izraelite që synojnë militantët e Hezbollah e kanë lëkundur marrëveshjen e armëpushimit SHBA–Iran.
Së bashku me dënimin e veprimeve të Hezbollahut - i konsideruar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara - dhe sulmeve të Iranit në gjithë rajonin, shumë liderë botërorë kritikuan gjithashtu Izraelin për sulmet masive në Liban që kanë vrarë më shumë se 300 njerëz gjatë dy ditëve të fundit.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli këmbëngulin se Libani nuk ishte përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit me Teheranin, ndërsa zyrtarët iranianë thonë se ishte përfshirë dhe se sulme të mëtejshme ndaj aleatëve të tyre të Hezbollahut mund ta prishin armëpushimin.
Kallas tha të enjten se “veprimet izraelite po e vënë armëpushimin SHBA–Iran nën presion të madh. Armëpushimi me Iranin duhet të shtrihet edhe në Liban”.
Sulmet izraelite në Liban janë “të gabuara” dhe “duhet të ndalen”, tha Starmer gjatë vizitës së tij në vendet e Gjirit.