Prokuroria e autorizon Policinë të kryejë hetime ndaj KEDS-it nën dyshimin për mashtrim me njehsorë
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të premten se e ka autorizuar Policinë të kryejë hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Në një njoftim për media, Prokuroria tha se ka dyshime se njehsorët e shpërndarësit të rrymës në vend nuk po e bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.
“Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) paralajmëroi gjoba ndaj KEDS-it, si pronare dhe shfrytëzuese e njehsorëve elektrikë, pasi gjeti parregullsi në disa prej tyre.
MINTI bëri të ditur të enjten se gjetjet e para nga inspektimet në terren kanë nxjerrë në pah se njehsorët e verifikuar kanë pasur afat të skaduar të vlefshmërisë, pasaktësi në ditë dhe orë, por që “matjet e energjisë elektrike kanë rezultuar të jenë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar”.
E gjithë kjo vjen pasi partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe media lokale Nacionale, publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në total – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.
Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht prej temperaturës dhe kohëzgjatjes së njehsorit, ndërsa ka qytetarë që pretendojnë se pasaktësia shkon në disa orë.
Ora që shfaqet në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë është me rëndësi, pasi çmimi i rrymës është i ndryshëm, varësisht se kur shpenzohet.
Në Kosovë ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00.
Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.
Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.
KEDS-i gjatë një konference për media më 1 prill tha se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim.
Sipas kompanisë për shpërndarjen e energjisë, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë – por, në rast të identifikimit të pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”.
Rregullatori i energjisë, ZRRE, ndërkaq, është zotuar se do të marrë masa në rast të konstatimit të gabimeve në funksionimin e njehsorëve elektrikë.
Debati për parregullsitë në njehsorë elektrikë vjen në kohën kur ZRRE-ja pritet që më 1 maj të shpallë tarifat e reja, që vlejnë deri më 31 mars. Shpallja e tyre ishte paraparë të bëhej më 1 prill, por u shty.
Disa operatorë energjetikë kanë kërkuar rritje të tarifave prej 20 për qind, por ende nuk është marrë ndonjë vendim.