Krerët e shtetit nderojnë sakrificën për lirinë dhe pavarësinë
Me ngritjen solemne të flamurit shtetëror, Kosova nisi ceremonitë zyrtare për shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë.
Flamuri i Republikës së Kosovës u ngrit në oborrin e ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, në praninë e krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Presidentja Osmani e cilësoi këtë ditë si një moment reflektimi dhe krenarie dhe nderoi sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik, Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, tha ajo.
Kryeministri Kurti theksoi përparimin e vendit në forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e ekonomisë, ndërsa kryeparlamentarja Haxhiu tha se “sot e edhe çdo ditë tjetër kujtohen me nderim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi”.
Në seancën solemne të Qeverisë, Kurti përmendi edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai tha se shpallja e pavarësisë nuk mund të përkujtohet pa u nderuar ata që kontribuuan në ndërtimin e shtetit.
"Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë", tha Kurti.
Ai shtoi se ky vit i pavarësisë e gjen Kosovën në fillim të mandatit të ri qeverisës, ndaj "punët janë të shumta".
"Mësuesë e studentë, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenarë duke punuar e forcuar shtetin", tha Kurti.
Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 nga institucionet vendore, pas një periudhe të gjatë administrimi ndërkombëtar dhe negociatash për statusin.
Ajo u mbështet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.
Që nga ajo kohë, Kosova bëri përparim në ndërtimin e institucioneve shtetërore, konsolidimin e sigurisë me mbështetjen e NATO-s dhe zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare.
Megjithatë, shteti vazhdon të përballet me sfida të mëdha, përfshirë kundërshtimet e pavarësisë nga Serbia dhe disa vende të tjera, si dhe pengesa në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.