Mësuesi nga Nishi ndëshkohet pasi mbulon grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”
Njëzet e pesë euro – kjo është gjoba që aktivisti opozitar dhe mësuesi pagoi, pasi “pa leje” e kishte mbuluar grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” që ndodhet në oborrin e një shkolle fillore në juglindje të Serbisë, ku ai është i punësuar.
Partia në pushtet në Serbi, Partia Progresive Serbe (SNS), e dënoi këtë veprim dhe i cilësoi aktivistët e Frontit të Gjelbër të Majtë (ZLF) nga Nishi, të cilët morën pjesë në largimin e grafitit, si “auto-shovinistë”.
Slogani nacionalist “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shkruar në mbarë Serbinë, ndërsa aktivistët e shoqërisë civile i kanë larguar këto slogane edhe në vitet paraprake, duke argumentuar se një mesazh i tillë përhap jotolerancë dhe nxit konflikte.
Ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s, e cila u ndërmor për shkak të krimeve të luftës që forcat serbe kishin kryer ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës.
Kallëzim anonim“Ky grafit bën thirrje për luftë dhe konflikte. Ky mesazh na kthen në vitet ’90, në një kohë kur Serbia po humbte jetë të reja dhe territore”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Dejan Petroviq, 54 vjeç, mësues në shkollën e Nishit “Uçitel Tasa”.
Petroviq shton se grafiti në fjalë është shkruar në oborrin e shkollës disa vite më parë dhe se ai, në disa raste, i ka sugjeruar drejtoreshës së shkollës se një mesazh i tillë nuk është i përshtatshëm dhe duhet të hiqet, por autoritetet përgjegjëse nuk kanë reaguar.
“Në një moment i thashë drejtoreshës se, nëse ajo nuk është në gjendje të gjejë një mënyrë për ta bërë këtë, unë do ta bëja vetë me shpenzimet e mia. Ajo nuk më ndaloi, por vetëm heshti. Unë e kuptova këtë si një shenjë miratimi”, thotë Petroviq.
Së bashku me kolegun e tij Rastisllav Diniq nga Fronti i Majtë i Gjelbër, të cilit i përket, Dejan Petroviq gjatë fundjavës që shkoi ai ngjyroi me ngjyrë të bardhë murin ku ishte shkruar grafiti.
Disa ditë më vonë, në shkollë erdhën punonjës komunalë të policisë dhe i thanë të shkonte në qendrën në Nishit të këtij shërbimi, ku do t’i dorëzohej një kallëzim penal.
“Mu thanë se personi që kishte dorëzuar kallëzimin ishte një qytetar anonim që kishte bërë denoncimin se unë kisha pikturuar pa miratimin e drejtoreshës”, shprehet ai.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë drejtoreshën e Shkollës Fillore “Uçitel Tasa”, Radmilla Kërstiq, por ajo nuk ishte e disponueshme për bisedë dhe nuk iu përgjigj as mesazheve SMS që iu dërguan.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe policisë komunale të Nishit me pyetjen se sa kallëzime penale për të njëjtin veprim janë dorëzuar gjatë vitit 2025, si dhe nëse grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” trajtohen si përhapje e urrejtjes, diskriminimi dhe thirrje për konflikte, por deri në publikimin e këtij teksti nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.
Për heqjen e grafiteve nga hapësirat publike përgjegjëse janë shërbimet komunale të pushtetit lokal në Serbi, ndërsa për fasadat e objekteve private përgjegjës janë pronarët e tyre.
Çfarë thonë nga partia në pushtet në Serbi?Në Partinë Progresive Serbe kanë dënuar veprimin e aktivistëve nga Nishi, të Frontit të Majtë të Gjelbër.
Kreu i partisë në pushtet dhe ish-kryeministri Millosh Vuçeviq, tha se bëhet fjalë për një veprim “skandaloz” të njerëzve që “garojnë në auto-shovinizëm”.
“Urrejnë gjithçka që është serbe, urrejnë ushtrinë tonë dhe Kosovën dhe Metohinë”, tha Vuçeviq përmes një video-mesazhi të publikuar në X.
Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, duke përfunduar kështu luftën dhe bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë.
Nëntë vjet më vonë, Kosova shpalli pavarësinë, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh.
Para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë janë dënuar zyrtarë të lartë serbë.
A është shkelur Ligji për arsimin në Serbi?Për rastin e heqjes së grafitit nga oborri i shkollës, është shprehur Komiteti i SNS-së në Nish që ka akuzuar Frontin e Majtë të Gjelbër se ka shkelur Ligjin mbi bazat e sistemit arsimor dhe edukativ, i cili ndalon veprimtarinë politike partiake në institucionet arsimore.
“I bëj thirrje organeve që të reagojnë ndaj këtij shkeljeje të ligjit, dhe po u bëj thirrje edhe organizatave të tyre punuese që të reagojnë, sepse është e papranueshme që mësuesit dhe punonjësit e arsimit të marrin pjesë në një veprim politik partiak”, ka theksuar kreu i grupit të këshilltarëve komunalë në Nish të SNS-së, Urosh Radulloviq.
Mësuesi Dejan Petroviq mohon se ka shkelur ligjin dhe thekson se SNS-ja po përpiqet të frikësojë të gjithë ata që mund të guxonin të bënin të njëjtën gjë.
“Ne ishim në oborrin e shkollës, por gjatë fundjavës, kur nuk kishte nxënës dhe nuk zhvillohej mësim. Bëmë diçka që është në dobi jo vetëm të fëmijëve, por të gjithë komunitetit shkollor”, thotë Petroviq.
“Projekti shtetëror”Grafitet të titulluara “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqën në mbarë Serbinë në fillim të vitit 2023. Mesazhin me simbole ushtarake, për disa ditë e shkruanin burra të panjohur në fasadat publike dhe private, si dhe në muret mbajtëse përgjatë autostradave.
Bëhet fjalë për një varg nga ripërpunimi i një kënge popullore serbe. Siç ka konstatuar antropologu Ivan Çoloviq, vargu “kur ushtria të kthehet në Kosovë” nuk ekziston në formën origjinale të këngës të cilës i referohen ata që e shkruajnë këtë slogan. Ai shfaqet për herë të parë në vitin 2011 në librin “Kosova është koka e Lazarit” të mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe, Amfilohij Radoviq.
Murale nuk janë të nënshkruara, por në një portal, i cili është paraqitur si portal jozyrtar informativ i tifozëve të Cervena Zvezdës, thuhet se ky varg është pikturuar në shumë vende në Beograd.
“Ky është një projekt shtetëror. Të tilla parulla mund të gjenden jo vetëm këtu në Nish, por edhe në qytete të tjera të Serbisë, në autostrada, në shumë vende publik”, vlerëson Dejan Petroviq.
Veprimet kundër aktivistëvePër pikturimin e muraleve në ndërtesa banimi nevojitet miratimi i banorëve që jetojnë aty, dhe nëse objekti është i mbrojtur, kërkohet leja e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Serbisë.
Aktivistë nga disa organizata të shoqërisë civile, përfshirë edhe shoqatën KROKODIL, në shkurt 2023 e mbuluan një nga këto murale në Sheshin Sllavia të Beogradit. Para se të përfundonin veprimin, në vendngjarje shkoi policia komunale, që shqiptoi gjoba për aktivistët.
Shumë shpejt, në të njëjtin vend u shfaq një mural me të njëjtin mesazh.
“Nëse guxoni të hiqni muralin ku shkruhet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’, i vendosur ilegalisht në një hapësirë publike, është e garantuar se do të ketë reagim nga autoritetet nëse ju kapin, dhe edhe nga një numër qytetarësh që reagojnë shumë agresivisht. Kur ai mural rikthehet, kjo ndodh në mes të ditës, para syve të policisë dhe kalimtarëve”, thotë Vlladimir Arsenijeviq nga shoqata KROKODIL për REL-in.
Gjykata për kundërvajtje në Beograd ka dhënë disa vendime lirimi për aktivistët kundër të cilëve policia komunale kishte nisur procedime për muralin në Sllavia. Në dy vendime të veçanta nga korriku dhe nëntori i vitit 2024, gjykata ka vlerësuar se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer shkelje.
Vlladimir Arsenijeviq thotë se këto vendime duhet të shërbejnë si inkurajim jo vetëm për aktivistët, por për të gjithë qytetarët.
“Nëse një grafit i vendosur ilegalisht, me çdo përmbajtje, shfaqet në fasadën e një ndërtesë, qytetarët kanë jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin ta heqin. Kjo është ajo që përpiqemi t’ua transmetojmë qytetarëve – nuk ekziston ndonjë shërbim që do të vijë ta heqë. Këtë duhet ta bëjmë ne vetë”, thotë ai.
Përveç grafiteve që bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë në Kosovë, në hapësirën publike të Serbisë mund të shihen edhe murale që lartësojnë kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
Njëri nga më të njohurit u shfaq në rrugën Njegosheva në Beograd në fund të korrikut 2021, një muaj pas dënimit me burgim të përjetshëm të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës së Sërpska në Hagë për krime lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Të gjitha përpjekjet e qytetarëve dhe aktivistëve për ta hequr nuk patën sukses, sepse autorë të panjohur, për të cilët dyshohet se janë pjesë e grupeve të djathta dhe tifozëve, brenda pak orësh e rikthenin në gjendjen origjinale.
Pas mbulimit nga aktivistët në maj 2023, muralit nuk i është bërë më “ndryshim”.
Organizata joqeveritare Iniciativa e Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR Serbia) në të njëjtin vit ka dorëzuar mbi 300 kallëzime në shërbimet komunale në dhjetë qytete dhe komuna të Serbisë, duke kërkuar heqjen e muralëve dhe grafiteve që madhërojnë Mlladiqin.