Ish-gardiani i burgut të Prishtinës deklarohet i pafajshëm për krime lufte
I pandehuri Boban Toniq u deklarua i pafajshëm për akuzën për krime lufte, gjatë seancës gjyqësore të mbajtur të martën, më 20 janar, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Toniq akuzohet se në cilësinë e gardianit të burgut të Prishtinës, paraleles në Lipjan gjatë viteve 1998-99 kishte shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur.
Në seancë, gjyqtari Rrahman Beqiri e informoi fillimisht të akuzuarin për të drejtat e tij dhe më pas ai u deklarua i pafajshëm, raporton Betimi për Drejtësi.
Aktakuza ndaj Toniqit u ngrit nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 31 janar të vitit 2025.
Prokuroria tha atëbotë se ekziston dyshimi se i pandehuri, së bashku me gardianë të tjerë, “në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike”.
“I pandehuri, në bashkëkryerje, i kishte lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra, i kishte kanosur seriozisht për jetën dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme dhe trajtimit çnjerëzor, ata kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Gjykata njoftoi se avokati i të pandehurit, Pregrad Millkoviq, ka 20 ditë afat që të kundërshtojë provat e Prokurorisë dhe të bëjë kërkesë për hedhjen poshtë të aktakuzës.
Së voni, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.
Aktakuza e fundit e ngritur ishte ajo më 16 janar, kundër një gruaje e cila dyshohet se në cilësinë e gardianes së burgut të Prishtinës, paralelja në Lipjan kishte keqtrajtuar, kanosur dhe torturuar të burgosurat shqiptare.
Prokuroria po ashtu vitin e kaluar ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave për vrasjen e civilëve në Reçak të Shtimes. Ndërkaq, Specialja ka ngritur aktakuzë në mungesë edhe ndaj 21 personave për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.