Putin thotë se nuk do të dërgojë rekrutë në Ukrainë
Presidenti i Russië, Vladimir Putin, publikoi një video për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ku tha se rekrutët dhe rezervistët nuk po thirren për të luftuar në vijën e frontit në Ukrainë.
“Më lejoni të theksoj se ushtarët që kryejnë shërbimin ushtarak, nuk marrin dhe nuk do të marrin pjesë në armiqësi... Për detyrat e caktuara zgjidhen vetëm ushtarakë profesionistë”, tha ai në videon e publikuar më 8 mars.
Mesazhi i tij kishte për qëllim të zbuste shqetësimet e supozuara të grave ruse.
“Unë e kuptoj se sa shqetësoheni për të dashurit tuaj”, tha Putin, duke vlerësuar “besnikërinë dhe mbështetjen” e grave.
“Ju e bëni botën më të mirë falë ndjeshmërisë, dhembshurisë dhe bujarisë suaj shpirtërore”, tha ai.
Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, me urdhër të Putinit.
Putin ka dhënë urdhrin pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.
Ukraina është duke iu përgjigjur sulmit rus me ushtarë e civilë.
Disa media kanë raportuar se disa rekrutë rusë janë dërguar në luftën në Ukrainë, por REL nuk i ka konfirmuar në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Ushtria ukrainase ka thënë se mijëra ushtarë rusë janë vrarë në luftime. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka folur për humbje, por nuk ka dhënë shifra specifike.