Konjufca: Një emër nga familja Jashari për president, konsensus automatik në shoqëri
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se nëse do të vinte një emër për president nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, do të ishte një “konsensus automatik” në shoqëri.
“Një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari”, tha ai për mediat më 25 shkurt.
I pyetur se a ka vullnet nga familja Jashari për këtë çështje, Konjufca tha se nuk i takon të flasë në emër të tyre.
“Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen, nuk jam unë këtu që të supozoj se kjo është. Ka qenë kryeministri aty”, tha ai.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar në Prekaz të Skenderajt te familja Jashari. Ai ka konfirmuar për mediat se ka biseduar me Rifat Jasharin “për çështje politike”.
Emra nga kjo familje, në të kaluarën, janë përmendur si kandidatë potencialë për president, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar në propozim zyrtar.
Deputetët e Kosovës kanë afat deri më 4 mars që të zgjedhin presidentin e ri, pasi presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill. Osmani ka shprehur synimin edhe për një mandat të dytë në krye të shtetit.
*Lajmi do të përditësohet së shpejti