Gazetarja e REL-it fiton çmim për raportimet për gjenocidin në Srebrenicë
Martinoviq u shpërblye për kontributin e tij në përhapjen e së vërtetës për gjenocidin në Srebrenicë.
“Në Serbi, tre dekada më vonë, ka gjithnjë e më shumë rezistencë ndaj këtyre temave. Kur flet për këtë, shpesh përballesh me kërcënime, fyerje, indiferencë, madje edhe më shpesh me ndjenjën se po e përsërisësh kot”, tha Martinoviq në qendrën përkujtimore Potoçari.
Çmimi iu dorëzua një ditë para shënimit të 28-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
"Vit pas viti, raportet e organizatave ndërkombëtare i bëjnë thirrje Serbisë, përkatësisht autoriteteve në Serbi, të ndalojnë mohimin e gjenocidit, të ndalojnë madhërimin e kriminelëve të luftës dhe gjyqësori të tregojë efikasitet në ndjekjen penale të përgjegjësve. Por, vit pas viti, ndodh pikërisht e kundërta”, tha Martinoviq.
Iva Martinoviq është gazetare shumëvjeçare e REL-it, e cila, veç tjerash, raporton për krimet e luftës, për fajin dhe për përgjegjësinë e krimeve të kryera gjatë luftërave që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ’90.
Në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, forcat e ushtrisë së serbëve në Bosnje, të udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem.
Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Por, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.