Osmani: Shkuarja në zgjedhje i ndihmon zhvillimit të demokracisë
![Osmani: Shkuarja në zgjedhje i ndihmon zhvillimit të demokracisë](https://gdb.rferl.org/42FA60E8-DC9F-4705-9C2D-113E1C56B7CA_w800_h450.jpg)
Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani ka thënë se beson që deri në fund të muajit janar do të qartësohet mënyra e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Do të shihet nëse forcat politike aktuale do të kenë mundësi të zgjedhin një president të ri, apo vendi do të shkojë në zgjedhje”, ka thënë thënë ajo nga Tirana në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.
Sipas saj, shkuarja në zgjedhje nuk dëmton Kosovën, por i ndihmon zhvillimit të demokracisë.
“Në këtë rast edhe mund të prodhojnë institucione më të forta sa u përket proceseve dhe sfidave që po na presin përpara”, ka deklaruar ajo.
Osmani, që është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka konsideruar se përmes zgjedhjeve ka mundësi që të tejkalohen disa vështirësi, për dallim nga legjislatura aktuale që nuk po mundet ta bëjë një gjë të tillë, për shkak të mungesës së shumicës parlamentare.
“Nuk mund të lejojmë që të vazhdohet me bllokada të tilla në kohën kur po përballemi me pandeminë dhe me të gjitha pasojat e pandemisë, që përfshijnë edhe çështjet ekonomike, që sot janë sfidë e secilës familje në Kosovë”.
Ajo ka treguar se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një listë të pavarur, dhe jo në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përgjatë konferencës, Osmani dhe Meta kanë thënë se në Tiranë kanë diskutuar për bashkëpunimin strategjik dhe heqjen e të gjitha barrierave në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Osmani ka thënë t’i ketë kërkuar presidentit shqiptar që edhe Parlamenti i Shqipërisë, ashtu sikurse ai i Kosovës, të miratojë një rezolutë që dënon gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
Përveç tjerash, ajo ka thënë se të dy presidentët janë pajtuar që idetë për ndryshim kufijsh në Kosovë janë të papranueshme.
"Sado që mund të mendohet se kjo është një ide e vdekur, unë besoj se pas një kohe do të mund të rikthehet në tavolinë. Prandaj është i domosdoshëm një zë i fuqishëm edhe në Shqipëri, por edhe në Kosovë që bashkërisht të kundërshtojmë këto ide, të cilat më shumë se janë absurde dhe destabilizojnë rajonin, thjesht janë një shpërblim me territor për një shtet si Serbia, i cili ka kryer gjenocid”, ka thënë Osmani.
Ideja për ndryshim kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë është shpalosur më 2018 nga ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e problemeve midis këtyre dy shteteve.