Një punëtor vdes në vendin e punës në Fushë Kosovë
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të premten, rreth orës 11:30, ndërsa është klasifikuar si “vdekje e dyshimtë”.
“Sot në Stacionin Policor në Fushë Kosovë është iniciuar një rast ‘vdekje e dyshimtë’. Rasti ka ndodhur në fshatin Sllatinë, saktësisht brenda një objekti ku viktima ishte duke punuar”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, në një përgjigje me shkrim.
Ajo ka thënë se viktima ka rënë nga shkallët, nga një lartësi prej 4 deri në 5 metra.
“Viktima, mashkull, N.E. (viti i lindjes 1981), sot rreth orës 11:30, gjatë kohës kur ishte duke punuar, dyshohet të ketë rënë nga shkallët, nga një lartësi 4-5 metra dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti menjëherë është përcjellë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e tij. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që me rastin po merren Policia dhe institucionet tjera përkatëse”, ka shpjeguar Ahmeti.
Që nga fillimi i vitit të kaluar, në Kosovë, më shumë se 20 persona kanë humbur jetën në vendin e punës.