Çeçeni: Aktivisti për të drejtat e njeriut mbahet në arrest
Autoritetet në Çeçeni po e mbajnë shefin e zyrës së grupit Memorial në kryeqytetin Grozni, Oyub Titiyev 60 vjeçar, prej 9 janarit, siç thonë ato, për shkak të posedimit të marihuanës.
Anëtari i njohur i grupit Memorial, me seli në Moskë, Oleg Orlov, tha se “është e qartë se rasti penal po fabrikohet me qëllim që të ndëshkohet Titiyev, për aktivitetet e tij në fushën e të drejtave të njeriut”.
Njëherësh, Mikhail Fedotov, kryesues i një këshilli për të drejtat e njeriut të presidentit rus, Vladimir Putin, ka kërkuar nga shefi i Komitetit hetues të Rusisë, Aleksandr Bastrykin, që t’i shqyrtoj rrethanat e arrestimit të aktivistit Titiyev.
Shtetet e Bashkuara, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe grupe për të drejtat e njeriut, e kanë dënuar arrestimin e Titiyevit dhe kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.