Bajram Begaj zgjidhet president i Shqipërisë
Duke u zotuar se Shqipëria për të vjen mbi të gjithçka, ushtaraku Bajram Begaj u zgjodh të shtunën president i Shqipërisë me 78 vota të deputetëve të Kuvendit. Në votimin e tij në Kuvend morën pjesë 83 deputetë, prej të cilëve katër ishin kundër dhe një abstenoi. Pjesa më e madhe e opozitës nga Partia Demokratike bojkotoi seancën. Kandidatura e Begajt u mbështet nga Partia Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e propozoi për president pas dështimit për të zgjedhur president konsensual me Partinë Demokratike në opozitë.