Haradinaj kërkon nga komandanti i NATO-s mbështetjen për avancimin e FSK-së
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali Tod D. Wolters, mbështetjen e NATO-s për avancimin dhe profesionalizmin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Kosova është e rreshtuar me ushtritë e lirisë e të paqes dhe se FSK-ja multientike dhe profesionale po avancohet sipas standardeve të NATO-s si ofruese e sigurisë në vend e rajon”, ka thënë në takim kryeministri Haradinaj, duke theksuar aspiratën e Kosovës për anëtarësim në Paktin Veri – Atlantik.
Kryeministri Haradinaj e ka siguruar gjeneralin amerikan, se Kosova është e gatshme të kontribuojë për paqen, aty ku kërkohet nga ShBA-ja dhe NATO-ja, thuhet në një komunikatë për media nga zyra e kryeministrit.
Gjatë vizitës në Kosovë, komandanti i forcave të SHBA-së në Evropë, gjenerali Wolters, takon edhe ministrin e Mbrojtjes të Kosovës, Rrustem Berisha.
Vizita e tij në Kosovë, vjen pas qëndrimit në Beograd, ku autoritetet e atjeshme kanë shprehur kundërshtimin për formimin e ushtrisë së Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, i tha gjeneralit amerikan se "kërcënimi më i madh për sigurinë në Ballkan është formimi i ushtrisë së Kosovës dhe "përpjekjet për formimin e Shqipërisë së madhe".