Kuvendi i Kosovës cakton mbajtjen e dy seancave këtë muaj
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar seancën e parë të sesionit pranveror më 30 janar.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e parë të këtij viti në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka njoftuar se Kuvendi do të mbajë dy seanca gjatë këtij muaji.
“Do të kemi seancë parlamentare më datën 30 janar, kam paralajmëruar po ashtu se me datën 31 do të kemi edhe një seancë parlamentare e cila do të jetë me disa pika të rendit të ditës të rëndësishme siç është Ligji për Buxhetin, statuti i Trepçës dhe Ligji për pagat”, është shprehur ai.